Friday, August 2, 2013

Duke fshirë sytë e pluhurosur…



Pa ty, mikja ime e hershme, ura mbi lumin, ku na bashkonte nata, zemërohet dhe shkon tatëpjetë zallit, bashkë me ujërat e shkumëzuara, që rendin të ndjekur nga vitet e mallit. Atëherë hëna dhe yjet fillojnë shndërrohen, në hije gërmadhash parahistorike të vetmuara, ku dalin prej tyre skulpturat antike dhe më godasin zemrën me shigjeta të helmuara. Kështu çdo mbrëmje hija jote vjen rrotull, duke më tundur një shami mëndafshi të bardhë, për të nisur hapat e kotë prej kohësh të lodhur, drejt errësirës, ku harrimi shuan puthjet me radhë. Pastaj shemben të gjitha gërmadhat dhe pluhuri mbyll të tëra udhët e vona. Unë vrapoj për të dalë nga asfiksia e pllakosur, sa herë kaloj urën e psherëtimave tona, duke fshirë lotët e syve të pluhurosur…