Tuesday, July 30, 2013

Ngasësi i "trenit të vdekjes”, në momentin e aksidentit fliste në celular (Video)

Gjykata në Galici ka botuar dokumentet që tregojnë se ngasësi i "trenit të vdekjes”, Francisco Jose Garzon Amo, në momentin e aksidentit fatal jo vetëm se e tejkaloi shpejtësinë, por edhe fliste në telefonin celular. Siç njofton BBC, dokumentet tregojnë gjithashtu se treni në një kthesë të mprehtë kishte shpejtësinë prej 153 kilometra në orë, apo 73 kilometra në orë më shpejt se shpejtësia maksimale e lejuar në këtë seksion. Garzon Amo në këtë moment fliste me personelin e kompanisë Renfe, në pronësi të së cilës ishte treni i aksidentuar. “Vetëm pak minuta para aksidentit e ka telefonuar dikush që t’ia japë udhëzimet për të vazhduar rrugën për në Ferrol. Nga përmbajtja e bisedave dhe zhurmave në sfond mund të konkludohet se shoferi në atë kohë shikonte hartën ose ndonjë letër”, thuhet në dokumentet e gjykatës. Në aksidentin fatal humbën jetën 79 udhëtarë, ndërsa Garzon Amo akuzohet për 79 vrasje nga pakujdesia. Pas hetimit, ai u lirua të mbrohet në liri.