Sunday, July 28, 2013

I refuzohet qëndrimi në Zelandën e Re për shkak të mbipeshës

Autoritetet në Zelandën e Re ia kanë refuzuar qëndrimin një shtetasi nga Afrika e Jugut me arsyetimin se ishte shumë i trashë për të qëndruar në vend. Në letrën dërguar familjes së Albert Buitenhuis argumentohet refuzimi i rinovimit të vizës vjetore për gjithë familjen për shkak të peshës së tij që nuk “ka një standard të pranueshëm për autoritetet”. Familja afrikano-jugore, që jeton në qytetin e Chrischur që prej gjashtë vitesh si emigrantë të rregullt, thotë se paradoksi qëndron në faktin se refuzimi mbërrin në momentin kur Albert peshon 130 kilogramë, plot 30 kilogramë më pak se sa gjashtë vite më parë, kur u pranua si emigrant i rregullt në vend. Bashkëshortja e tij, Marthie, thotë se vitin e kaluar Albert peshonte më shumë se sivjet, por sërish vizat vjetore u rinovuan “me pak probleme të vogla burokratike”. Rasti i kësaj familjeje është vënë në qendër të vëmendjes edhe për faktin se çifti ka dorëzuar ankesat edhe te Ministria e Emigracionit. Kërkesa e tyre ende nuk ka marrë një përgjigje, por tërthorazi autoritetet kanë lënë të kuptohet se Albert me mbipeshën e tij rrezikon sëmundje si diabeti, hipertensioni apo sëmundje zemre që mund të rëndojnë financiarisht sistemin shëndetësor vendas. “Është e rëndësishme që të gjithë emigrantët të kenë një standard të pranueshëm shëndetësor për të minimizuar kostot e shërbimit shëndetësor të Zelandës së Re”, ka thënë ministri i Emigracionit, ndërsa transmeton Top-Channel. Zelanda e Re është ndër vendet me përqindje të lartë të obezitetit në botë. 30 për qind e popullsisë së saj aktualisht rezultojnë mbipeshë.